Ministrat e Financës të Eurozonës kanë vendosur të martën në mëngjes pas bisedimeve maratonë, që zgjatën 12 orë, të lëvrojnë paketën e dytë të ndihmës për Greqinë. 130 miliard euro për Athinën, plus më shumë garanci nga bankat dhe fondet private për të përkrahur Greqinë. Në këtë mënyrë vendi do shpëtohet nga falimentimi. Greqia në këmbim do të reduktojë borxhin në 120.5 përqind në vitin 2020 dhe do pranojë një prezencë të monitoruesve të BE-së për të mbikëqyrur menaxhimin ekonomik.
Greqia do ketë nevojë për këstin e parë të fondeve më 20 mars, kur duhen paguar edhe kreditë e maturuara.
Pas pesë vitesh recesion, borxhi i Greqisë aktualisht ka shkuar në 160 përqind të GDP-së.
Marrëveshja parashikon edhe që mbajtësit privatë të borxhit grek do të pranojnë humbje në 53.5 përqind të vlerës të bonove të tyre.
Brenda dy muajve në vijim, Greqia do të duhet të kalojë legjislacionin që i jep prioritet ripagimit të borxheve mbi financimin e shërbimeve qeveritare. Athina do ngrejë një llogari bankare veçmas buxhetit, që në çdo kohë do ketë mjaftueshëm para për të shërbyer borxhet e saj.
Natyrisht një marrëveshje e tillë parashikon më shumë dhimbje për grekët, që do përballen sërish me shkurtime. Sipas BBC, shumë grekë druhen se kjo do e fusë vendin në një spirale recesioni. Klasa e mesme greke është e zemëruar pasi thotë se po vuan një krizë që nuk e krijoi ajo, por klasa politike dhe grekët e pasur që nuk kanë paguar taksat.










