Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, të vogla janë gjasat që 28 Nëntori të shpallet festë zyrtare në Maqedoni. Kjo mund të konstatohet në bazë të mbledhjes së ditës së hënë në Komisionin për sistem politik (KSP) , ku maqedonasit mbivotuan shqiptarët duke e refuzuar në fazën e parë projekt ligjin e Partisë Demokratike Shqiptare që 28 Nëntori, dita e flamurit të shpallet festë kombëtare e shqiptarëve në Maqedoni.
Edhe pse projekt ligji u mbështet nga deputetët e BDI-së dhe PDSH-së, votat e tyre nuk mjaftuan që ai të marrë dritë jeshile nga ky komision.
“28 Nëntori festohet nga qytetarët shqiptarë në forma të ndryshme, pra këto festa janë private. Mendoj se janë të shumta arsyet se kjo festë tani duhet të rregullohet me ligj”, tha deputeti i PDSH-së Bekim Fazliu, duke e sqaruar propozimin e tyre.
Edhe pse votuan pro këtij propozimi, debati nuk kaloi pa polemika mes deputetëve shqiptarë. Deputetët e BDI-së mbështetën këtë propozim por akuzuan se iniciativa e PDSH-së nuk është e sinqertë por vetëm për të përfituar politikisht.
“Ligjet i ndryshon pushteti dhe kjo është e vërtetë. Kështu që atëherë kush kishit shans në vitin 2007 nuk e bëtë ndryshimin për të cilin sot jeni kaq të zëshëm. Problemi është te moskonsistenca juaj dhe patriotizmi me komandë për vetëm kur jeni n opozitë. Kur jeni në pushtet, ky patriotizëm është i kontrolluar”, deklaroi deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti-Devaja.
Akuzave të këtilla i’u përgjigjen deputetët e PDSH-së, të cilët akuzuan BDI-në për injorimin e flamurit dhe paaftësinë e për të shënuar 28 Nëntorin në mënyrë institucionale.
“Nuk e keqpërdorim këtë ditë për poenë politikë. Ju jeni ata që gjithmonë i keqpërdorni këto data për përfitime politike duke organizuar manifestime të ndryshme me karakter privat apo partiak”, u kundërpërgjigj deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu.
Para se të futet në seancë plenare, projekt ligji i PDSH-së do të diskutohet edhe në komisione tjera. Mirëpo debati i ditës së hënë në Komisionin për sistem politik tregon se të vogla janë gjasat që kjo datë të shpallet si festë zyrtare.










