Juventus është ndalur në një barazim 0-0 përballë Parmës në ndeshjen e shtyrë dy javë më parë për shkak të dëborës.
Por bardhezinjtë këtë radhë kanë sulmuar ashpër gjyqtarin e ndeshjes i cili u ka mohuar dy 11-metërsha në pjesën e dytë të takimit, të dytin ndaj Pirlos në minutat shtesë të ndeshjes.
Këto episode kanë acaruar dukshëm skuadrën, qëndrim të cilin e ka bërë publik trajneri Antonio Konte, i cili ka akuzuar gjyqtarët se po penalizojnë me dashje Juventusin.
“Situatat e sotme i kam parë në fushë si lojtar. Mendoj se ekziston frika për t’i dhënë penallti në favor Juventusit, nuk ta japin as nëse vdes ndokush në zonë. Nuk e kam vetëm me ditën e sotme, kështu po ndodh gjatë të gjithë kampionatit. Duhet të ekzistojë guximi për të dhënë 11-metërsh edhe në minutën e 90-të. Por, arbitrat nuk kanë tope”.
“Ajo që ndjehet në ajër është se nëse nuk vërshëllehet në favor të Juventusit nuk gabohet, nëse gabohet në disavantazh të Juventusit, nuk ndodh asgjë. Duam të trajtohemi në mënyrë të barabartë”.
“Më vjen keq po kam filluar të mendoj se po përsëriten disa situata që shpresoja të ishin kaluar. Mund të them vetëm se po trajtohemi në mënyrë të ndryshme nga 19 skuadrat e tjera të Serisë A. Statistika është e frikshme, na kanë dhënë në favor vetëm një 11-metërsh, më pak se ekipet që mbyllin tabelën e klasifikimit”, ishte akuza që lëshoi Konte pas përfundimit të ndeshjes.










