Kryetari i LSI: Në parim jam për taksën progresive
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, duket se pret që të stabilizojë figurën e tij politike duke u rikthyer në kabinetin e Berishës pasi Gjykata e Lartë e shpalli atë të pafajshëm për akuzën për korrupsion. Duket se do jetë vetëm çështje kohe dhe përcaktimi të postit ministror, pasi edhe Berisha e ka bërë të qartë se për të kthyer Metën në qeveri është në dorën e LSI-së sipas marrëveshjes. Por duket se Meta synon që këtë herë të marrë një ministri të fortë dhe të rëndësishme siç është ajo e Brendshme. Ai i ka ardhur rrotull kësaj dëshire, por pa e pohuar drejtpërdrejt, gjatë një interviste për Ora News, ku ka bërë dhe komentet për ngjarjet tragjike të fundit në kryeqytet. Duke folur për situatën e sigurisë në vend ai tha se “janë një sërë faktorësh që ndikojnë, por ajo që duhet është që mbi të gjitha të kemi një rritje të ndëshkueshmërisë në këtë drejtim. Jeta e një qytetari është gjëja më e shtrenjtë për çdo shoqëri dhe këtu goditja duhet të jetë pa asnjë lloj tolerance”. Ndërsa pyetjes së drejtpërdrejtë të gazetares Ilva Tare: “Do t’i pohoni apo përgënjeshtroni zërat se ju si ministër rendi mund të bënit më shumë?”, ai nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por la të kuptohej se i ngjallte interes ai post ministri. “Duket fare pa lidhje dhe absurde për arsye se nuk mendoj se përgjegjësia dhe suksesi në vendosjen e rendit është meritë apo është përgjegjësi thjesht e një ministri. Ministri ka një rol shumë të rëndësishëm. Mos harrojnë se janë edhe shumë struktura të tjera dhe është një kompleksitet i tërë, lufta kundër krimit, është prokuroria, është policia, gjykata e kështu me radhë”, tha ai. Sërish ai shtoi se dashuria e tij shkon gjithmonë për Ministrinë e Jashtme, por… “Por, detyra ime si kryetar i një force politike, e cila është e lidhur jo pak me angazhimin dhe emrin tim, që nga themelimi deri më tani. Shpresoj të mos jetë kështu gjithmonë”.
Kreu i LSI-së ka çuditur me vlerësimin që i ka bërë taksës progresive, një propozim i ardhur së fundmi nga PS-ja dhe i kundërshtuar fort nga kryeministri Berisha i cili e quan projekt marksist. Në të kundërt Meta thotë se është dakord me këtë taksë, por se taksa aktuale qenka për shtresat në nevojë. “Jemi shumë të saktë po të flasim në këtë drejtim sepse ideja e taksës progresive është hedhur nga LSI-ja përpara zgjedhjeve të 2005-ës. Arsyeja kryesore ka qenë për nxitjen e investimeve të huaja. Një nga ideatorët e saj ka qenë Sokol Nako, që njihte shumë mirë modelin sllovak. Taksa progresive është një lehtësi për investitorët. Ne duhet të bëjmë disa politika sociale sidomos në interes të shtresave që kanë nevojë për mbrojtje sociale dhe në rast të aplikimit të taksës së sheshtë përmes politikave të caktuara mbrojtëse, shtresa të caktuara merren në mbrojtje. Unë në parim jam për taksën progresive”, është shprehur Meta tek Ora News.










