Zhoze Murinjo do të kthehet në kampionatin anglez të futbollit pas përfundimit të këtij sezoni, ose të paktën kështu e mendojnë mediat angleze.
Megjithëse Reali i Madridit ka 7 pikë avantazh në renditjen e kampionatit spanjoll, Murinjo duket se është gjithmonë pranë largimit për shkak të polemikave që arrin të shkaktojë sa herë që i jepet rasti.
49 vjeçari nuk ka arritur të thyejë dominimin e Barcelonës në ndeshjet direkte dhe kjo duket se ka sjellë edhe acarimin e tifozëve të ekipit ndaj tij.
Ndonëse presidenti i madrilenëve, Florentino Perez, ka deklaruar se punësimi i tij ishte zgjedhja më e mirë që kishte bërë ndonjëherë, vetë Murinjo ka bërë të qartë se në përfundimin e kontratës në vitin 2014, do të dëshironte të kthehej në Angli.
“The Sunday Times” ka publikuar një lajm se portugezi ka vënë në lëvizje menaxherin e tij për t’i gjetur një skuadër në Angli pasi dëshiron të largohet nga madrilenët në fund të këtij sezoni. Sipas burimit të gazetës angleze, ai është në pritje të Arsenalit apo Totenhemit, dy ekipeve që mund të ndryshojnë trajnerë në fundin e sezonit.
Vetë Murinjo ka shprehur dëshirën që të drejtojë Mançester Junajtid, por Sër Aleks Ferguson nuk ka ndër mend të largohet nga “djajtë e kuq” edhe për 2-3 sezone të tjera. Gjithsesi, cilado skuadër që kërkon shërbimet e Murinjos, duhet të paguajë 20 milionë euro gjobë, siç e përshkruan kontrata e tij me madrilenët.










