Reagon Dizdari: Merruni me Ina Ramën që nxjerr dosjet. Emri im nuk del askund Prokuroria e Fierit ka nisur verifikimet për personat që kishin dijeni për hetimin për aferën në Gjykatën e Lartë. Mësohet se në listën e të verifikuarve nga Prokuroria janë prokurorë dhe gjykatës, të cilët kishin dijeni për ngjarjen. Ndërkohë Policia e Fierit nuk kishte dijeni për këtë hetim. Siç raporton Shqip, gjykatësit kishin dijeni pasi kishin firmosur lejet e përgjimit. Ndërkohë vetë gjykatësi Gani Dizdari ka reaguar për GSH në lidhje me këtë hetim, duke thënë se ‘gazetarët duhet të merren me Prokuroren e Përgjithshme, që u ka vënë në dispozicion dosjen në kundërshtim me ligjin’. Ai ka thënë se emri i tij nuk përmendet në dosje dhe nuk ka asnjë lidhje me atë çështje. Vetë nipi i Dizdarit, Agron Lumneshi, mësohet se është shprehur në prokurori se kishte dijeni për çështjen e Vilson Mellarajt. Siç shkruan Shqip, ai ka deklaruar se nuk i ka thënë asnjëherë dajës për këtë çështje, edhe pse u ka premtuar personave të tjerë në hetim se mund t’i ndihmonte me dajën. Lumneshi thotë se takohej shpesh me dajën. I pyetur për dijeninë e tij për zhvillimin e seancave, ai ka thënë se e kishte mësuar rastësisht, kur daja fliste në telefon, ose kur i bënte ndonjë pyetje pa e prekur thelbin e çështjes.










