Katër vjet e gjysëm pas zgjedhjes, kreu i shtetit e gjen veten më të izoluar se kurrë. Kompetenca të bllokuara, konflikt i ndezur me qeverinë, pamundësi për të influencuar proceset politike në vend. Bilanci dëshpërues i një mandati dhe dorëheqja e munguar e një politikani të lartë
Nga Skender Minxhozi
Gazetarët që mbulojnë aktivitetin e organeve të drejtësisë në Tiranë, kanë mbetur të habitur paraditen e 30 janarit, kur kanë parë eskortën e presidentit Bamir Topi të mos ndalet në derën e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, në Bulevardin Zogu i Parë. Sipas një rituali të konsoliduar prej vitesh, kreu i shtetit hynte nga dera qendrore e institucionit, i pritur në hyrje nga zëvendëskryetari i KLD Kreshnik Spahiu. Atë ditë presidenti përdori një hyrje të prapme të godinës së madhe me fasadë prej xhami, duke iu fshehur me kujdes syrit të kamerave që e prisnin tek dera kryesore. Ky detaj i parëndësishëm nuk shqetësoi shumë nga mediat, të cilat janë mësuar me situata edhe më të rënda, që kanë ndodhur rregullisht në institucionin më të lartë të drejtësisë shqiptare.
Por për vëzhguesit e kujdesshëm, nuk kaloi pa u vënë re fakti se presidenti ia doli mbanë, me anë të kësaj rrëshqitjeje të vogël protokollare, që të mos shfaqej para kamerave me njeriun që në ato orë ishte i kryqëzuari i preferuar i shtetit: Kreshnik Spahiun. Situata ishte e rëndë, edhe pa hetimin parlamentar të shefit të ri të Aleancës Kuq e Zi. Më mirë të evitohej ky shtrëngim duarsh “puçistësh”!
Bilanci i vështirë i një Presidence
Cili është sot, pas më shumë se tre vjetësh e gjysmë, bilanci i presidencës së Bamir Topit? Ja një pyetje që ndoshta ia vlen të shtrohet qysh tani, kur nga mandati i tij presidencial kanë mbetur edhe rreth pesë muaj. Topi u zgjodh në krye të shtetit në një klimë politike e cila premtonte një presidencë të qetë dhe pa shumë andralla. Pak a shumë si mandati i Rexhep Meidanit pas vitit 1997, i cili kishte pasur mbështetjen, qoftë edhe formale, të mazhorancës rozë që drejtonte asokohe vendin. Në 20 korrik, kur përqafonte ata që e kishin votuar, Bamir Topi zor se e imagjinonte se fati i tij presidencial s’do t’i ngjante asfare atij të Meidanit, por do të ishte thuajse i njëjtë me atë të presidentit tjetër në radhë: Alfred Moisiut.
Në thuajse katër vjet, distanca graduale që u krijua mes Presidentit Topi dhe kryeministrit Berisha, përcaktoi edhe përmasat e humnerës që do ta ndanin atë përgjithmonë nga partia e tij. Sot ai është një lloj “apatridi” politik, i përzënë nga forca e tij politike në mënyrën më klasore dhe të padrejtë të mundshme. Me kalimin e viteve, ai është rrethuar e tkurrur brenda kangjellave të institucionit të tij, duke humbur rrugës kompetenca, tagër ligjor, miq e aleatë. E gjitha kjo atmosferë nuk e shkarkon megjithatë nga përgjegjësitë e tij edhe vetë kreun e shtetit, që ka kaluar mes “miqësish dhe armiqësish” politike nga më të pabesueshmet në këtë pesë vjeçar. Dhe ja pse!
Ndryshimet Kushtetuese
Presidenti Topi reagoi vakët, kur në vitin 2008 Berisha dhe Rama flirtuan mes tyre, për të mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, i cili papritur, shikonte se do të zgjidhej me më pak vota sesa duhen për Avokatin e Popullit. Edhe pse kjo formulë e re kushtetuese shërbente për Pasardhësin, Topit i nuk i pëlqeu aspak, sepse mendonte dhe vetë një mandat të dytë. Që ngjante i pamundur për shkak të marrëdhënies që kishte krijuar atëherë me dy të fortët e politikës, Berisha dhe Rama në atë kohë.
Pak javë më parë ai u shpreh për mediat se “momenti i ndryshimeve kushtetuese 2008, është momenti kur filloi ftohja (me Berishën). Deputetët iu futën lloj-lloj ndryshimesh në Kushtetutë pa konsultimin e Kreut të Shtetit, duke u atakuar me institucionin e Presidentit”. Ky qe fillimi i fundit të marrëdhënies së Bamir Topit me partinë e tij. Reagimi i tij në atë kohë ishte amorf. Ai i hapi rrugë të keqes, e cila e vuri poshtë edhe atë vetë.
Sistemi i drejtësisë
Kreu aktual i shtetit është i vetmi në erën postkomuniste, të cilit i janë rrëzuar më shumë dekrete, sesa i janë miratuar. Në pesë vjet ai ka parë sesi është mahisur marrëdhënia e tij me Kuvendin, duke sjellë rrëzimin e përsëritur të kandidaturave të tij. Kujtohet ende beteja publike që ambasadori amerikan i atëhershëm Uithers, bëri në vitin 2010 me mazhorancën, për shkak të asaj që ai e quante “rrëzim politik i kandidaturave” për anëtarët e gjykatave. Ka qenë i njëjti diplomat, i cili ka vënë re gjithashtu, siç na e tregon Uikiliks, se kreu i shtetit ka pranuar të hyjë edhe në pazare aspak elegante me kryeministrin, për të kaluar kandidaturat e tij. Kjo e drejtësisë, është një përplasje që Bamir Topi po e përjeton në përmasa gjithnjë e më të rënda. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që u la për shumë kohë në mëshirën e fatit, pa anëtarë të zgjedhur dhe i sulmuar rregullisht nga qeveria, është shprehja më e fortë e konfliktit Topi-Berisha në drejtësi. Rrëzimi i pritshëm, gjatë këtij muaji, i Kreshnik Spahiut, në kokën e KLD-së, do të jetë goditja e fundit që kreu i shtetit do të marrë në këtë segment shumë të rëndësishëm të drejtësisë. Ikja e Spahiut e lë praktikisht zbuluar Topin, në një organ që ka qenë deri më sot jetik për atë vetë, por edhe për ruajtjen e ekuilibrave në sistemin e drejtësisë, përballë sulmit frontal të kryeministrit. Ndërkohë, tre dekrete gjyqtarësh kushtetues janë bllokuar nga Kuvendi, duke lënë në detyrë 3 anëtarë të vjetër, me më shumë se 13 vjet në detyrë, ndërkohë që Kushtetuta parashikon se mandati nuk duhet t’i kalojë 9 vjetët.
Konflikti i tejzgjatur me qeverinë për sistemin e drejtësisë, e ka lënë praktikisht Presidentin pa njërën nga kompetencat e tij themelore.
Diplomacia
Nëse ka një rrëmujë institucionale e ligjore, diku në ngrehinën e sotme shtetërore, kjo është diplomacia. Dhe sa më larg Tiranës, aq më rrëmujë dhe kundravajtje ligjore. Përfaqësitë tona, të cilat drejtohen nga ata që ligjërisht quhen “përfaqësuesit e Presidentit”, pra ambasadorët, janë faktikisht shprehja e pafuqisë së kreut të shtetit për të vënë rregull dhe ligj në këtë sektor jetik, për imazhin e shtetit dhe funksionimin e tij. Konflikti i tejzgjatur me Berishën, i ka imponuar Bamir Topit pamundësinë totale të ndryshimit të ambasadorëve, konform afateve ligjore të shërbimit, kritereve të emërimit dhe të funksionimit të trupit tonë diplomatik. Ambasada e jonë në Londër qëndron pa ambasador prej më shumë se një viti, për shkak se Topi dhe Berisha nuk bien dakord për emrin e ambasadorit të ri. Aktualisht marrëdhëniet tona më Britaninë janë të ulura në gradën e të ngarkuarit me punë, një skandal i vërtetë ky. E njëjta situatë është edhe në Pragë. Nga ana tjetër, sherri mes presidentit dhe kreut të ekzekutivit ka sjellë që titullarët e përfaqësive në Romë, Bernë, Gjenevë, Paris, Strasburg, Berlin, Buenos Aires, Podgoricë, Shkup, Stokholm, etj. të tejkalojnë afatin e shërbimit, duke qëndruar në post edhe përtej limitit ligjor. Një trupë diplomatike e bllokuar, është rezultati i pamundësisë së kreut të shtetit për të imponuar respektimin e ligjit në politikën tonë të jashtme. Një tjetër kompetencë bazë kjo e një kryetari shteti.
Faljet, dekorimet
E drejta monopol për faljen i është mohuar presidentit të Republikës dy vjet më parë nga një ligj antikushtetues, që i jep të drejtën ministrit të drejtësisë të propozojë faljen. Kreu i shtetit e dekretoi edhe vetë atë ligj, megjithëse ishte në kundërshtim me kushtetutën dhe megjithëse kështu i kufizoheshin më tej kompetencat. Një shembull tipik ky i sjelljes së tij, e cila është prirur gjithnjë drejt evitimit të përplasjes, megjithë kostot që kjo përmbante. Një ndër kompetencat reale që i kanë mbetur kreut të shtetit, e kjo vetëm sa e shton melankolinë në zyrën e kreut të shtetit, janë dekorimet.
Këto të fundit kanë qenë të shumta këto vite, por edhe këtu incidentet s’kanë munguar. Rasti i prokurorit Breca, të cilit iu tërhoq dekorata pas presioneve të mazhorancës, ilustron qartë imazhin e një kryetari shteti të “markuar” fort në çdo hap të aktivitetit të tij.
Buxheti
Një nga gjestet më cinike të mazhorancës ndaj presidentit, ka qenë ulja e buxhetit të institucionit të tij. Për vitin 2012, qeveria Berisha i shkurton buxhetin Presidencës, krahasuar me buxhetin fillestar të këtij institucioni për vitin 2011. Për vitin 2012, qeveria ka parashikuar për institucionin e Presidentit, 158 750 lekë. Ndërkohë, deri në fund të vitit 2011 Presidenca pati në dispozicion të saj 164 milionë lekë. Në buxhetin fillestar për vitin 2011, për institucionin e Presidentit ishin parashikuar 168 milionë lekë, ose 32 milionë lekë më pak se shuma që i ishte parashikuar për vitin 2010. Një rrudhje graduale, por e pandalshme, siç shihet.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare, fjalimet në Kuvend
Tragjedia e Gërdecit ishte hera e fundit që ky organ, i drejtuar nga kreu i shtetit, u mblodh në format të plotë. Që nga ai moment, Bamir Topi rezervohet ta thërrasë mbledhjen Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Arsyeja është e thjeshtë: Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij nuk paraqiten në takim. Një bojkot ky aspak i heshtur i mazhorancës, i cili i heq praktikisht një funksion të rëndësishëm kreut të shtetit. Atë të lidershipit në axhendën e sigurisë kombëtare të vendit. Sa për mesazhet drejtuar Kuvendit, që nga viti 2007 regjistrohet vetëm një i tillë, kur Presidenti iu drejtua parlamentarëve nga foltorja e Parlamentit. Më pas Bamir Topi i ka dërguar deputetëve mesazhe përmes medias, siç qe rasti i fundit, më 4 shtator, një ditë para hapjes së sesionit aktual. Agresiviteti i Jozefina Topallit dhe fytyrat e ngrysura në krahun e djathtë të sallës plenare, ia kanë bërë praktikisht të pamundur presidentit të shkelë në godinën e Kuvendit.
Vizitat protokollare
Është e vështirë që të kuptosh sesi mundet një kryetar bashkie apo prefekt, që të mos paraqitet në derën e makinës së presidentit, kur ky mbërrin në një qytet në Veri a në Jug. Por kjo ka ndodhur jo rrallë. Nga Fieri në Shkodër, Bamir Topi është bojkotuar publikisht nga autoritetet vendore apo përfaqësuesit partiakë të PD-së.
Një kapitull tjetër skandaloz është ai i vizitave jashtë vendit, ku kreu i shtetit gjen vështirësi për të pasur në delegacionin e tij përfaqësues të mazhorancës. Presioni aktiv i Kuvendit mbi të ftuarit e presidentit, ka bërë që kreu i shtetit ta ketë të vështirë të marrë me vete delegacione politikisht të balancuara.
Topalli, ministrat
Nuk është vetëm agresiviteti i Berishës, problemi i Bamir Topit. Teli me gjemba verbal qe e rrethon, është thurur edhe me duart e ish-kolegëve të tij të dikurshëm. Qëndrimi i Jozefina Topallit ndaj presidentit është i njohur tashmë edhe për gurët e rrugës. Zonja e fortë e parlamentit nuk kujdeset fare që ta përmbajë sadopak mllefin dhe urrejtjen që ushqen për kryetarin e saj të shtetit. Pas saj, vjen një listë e gjatë ministrash e deputetësh, të cilët sapo gjejnë një mikrofon rrugës, nuk e humbin rastin për të derdhur pak helm në drejtim të presidencës. Më i fundit ishte Genc Pollo, një ministër i cili duhet besuar pak ose aspak, kur akuzon për çështje korrupsioni. Sepse ka bërë të njëjtën gjë dikur edhe me Berishën.
Por në rastin e Topit – parà në këmbim të emërimeve në sistemin e drejtësisë – siç akuzon Pollo, situata është shumë më delikate dhe vetë Topi nuk duhej ta kalonte me një përgënjeshtrim ta thatë dhe sfidë mediatike ndaj ministrit të Berishës.
Dhuna verbale e mazhorancës ndaj presidentit është një ndër shfaqjet më absurde të krizës institucionale në Shqipëri. Kjo sjellje ka vënë në provë të fortë vetë karakterin e Bamir Topit në tre vitet e fundit, por asnjëherë deri më sot kreu i shtetit nuk ka guxuar (dhe deri diku ka bërë mirë) që të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Megjithëse durimi e ka një kufi. Të paktën për shqiptarët e tjerë, të cilët kanë ngritur supet përballë heshtjes presidenciale.
Dorëheqja e munguar
Ore po ky presidenti pse s’jep dorëheqjen?! Kjo frazë është dëgjuar shpesh gjatë tre vjetëve të fundit, kur marrëdhëniet e Bamir Topit me mazhorancën u rrënuan në mënyrë të pakthyeshme. Kjo pyetje, më shumë një thirrje në fakt, ka qenë sidomos e shpeshtë në orët dramatike të 21 janarit 2011, kur shumëkush, në kërkim të një rrugëdaljeje nga tuneli i errët i dhunës, shihte tek gjesti i fortë i presidentit, një shkarkesë elektrike që do të sillte në vete shtetin e çoroditur nga gjaku i viktimave të pafajshme dhe nga fantazma e puçit inekzistent. Por goditja s’erdhi kurrë. Presidenti zgjodhi të kapërdijë përditë helmin e akuzave personale e të fyerjeve banale që i vinin nga oratori i radhës që kapte podiumin e shumicës blu dhe natyrisht, më së pari, nga vetë “bariu” i grigjës, kryeministri Berisha. Bamir Topi mund dhe duhej ta kishte dhënë dorëheqjen shumë kohë më parë. 21 janari i vitit 2011 ka qenë vetëm një datë kulmore, e cila ftonte zyrtarët e lartë të këtij për përgjegjshmëri dhe lidership. Edhe orët që e pasuan, kur presidenti mori mbi vete mallkimet ekstreme të ish-miqve e kolegëve të tij, që kishin kthyer përmbys gjithë parlamentin, për ta zgjedhur president më 2007, ishin një moment i duhur për ta këputur një litar formal që e mbante lidhur në një institucion që tkurrej nga dita në ditë. Topi mund të vazhdojë të mendojë edhe sot se është treguar burrë duke qëndruar në postin e tij, por ka jo pak njerëz në këtë vend që mendojnë sot se nganjëherë ikja përbën një kontribut më esencial sesa qëndrimi në vend.
Çfarë e mban ende në detyrë presidentin aktual të Republikës? Ofiqet dhe imunitetet? Vështirë se i hyjnë në punë, pasi për pak muaj nuk do t’i ketë më. Roli konstruktiv në jetën politike? Edhe kjo vështirë se mund të materializohet, për shkak se njëra nga palët e gjuan gjithë ditën me gurë dhe e shan me ç’t’i vijë në gojë. Apo mos është stili i përhershëm i politikanit Topi, i cili dëshiron të shmangë sa të mundet përplasjen, sherret, duke avancuar sipas stilemës së tij personale “unë flas duke heshtur”?! Kjo e fundit ka shumë gjasë të jetë e vërteta e hidhur e një njeriu që po bëhet gati të hidhet në ujë, por që ka sërish frikë nga noti.
Partia e re e zotit Topi pritet të shfaqet në skenën politike, diku në fund të shkurtit apo fillimit të marsit. Të paktën këto lajme filtrojnë nga rrethi i të besuarve të presidentit, të cilët po punojnë me strukturat e programin e saj. Sido që të ndodhë, e sigurt duket se nuk do të jetë vetë presidenti që do ta bekojë publikisht krijesën e tij të re. Edhe një herë ai do të jetë aty, duke mos qenë. Një paradoks i gjatë dhe i gjerë, i cili e ka gërryer prej kohësh presidencën aktuale të Shqipërisë, e kthyer prej kohësh në institucionin më të sulmuar nga miqtë dhe armiqtë. Bamir Topit s’ka kush t’i shkruajë, do të thoshte Garcia Markezi. Atëherë çfarë pret presidenti ynë?!
Disa nga Kompetencat e Presidentit të Republikës
a)i drejton mesazhe Kuvendit;
b)ushtron të drejtën e faljes sipas ligjit;
c)jep shtetësinë shqiptare dhe lejon lënien e saj sipas ligjit;
ç)jep dekorata e tituj nderi sipas ligjit;
d)jep gradat më të larta ushtarake sipas ligjit;
dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;
e)pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë;
ë)lidh marrëveshje ndërkombëtare sipas ligjit;
f) me propozim të Kryeministrit, emëron drejtorin e shërbimit informativ të shtetit;
g)emëron Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe rektorët e universiteteve sipas ligjit;
gj) cakton datën e zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve;
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.










