Prokurorët e qytetit të Fierit kanë paditur tre persona, përfshi një të afërm të një gjykatësi në Gjykatën e Lartë për tentativë për të ndikuar në një vendim në një gjyq për vrasje.
Prokurorët thanë në një deklaratë se tre të dyshuarit kanë tentuar të ndikojnë në gjyqin e Vilson Millarajt në Gjykatën e Lartë, i cili ishte dënuar me 20 vite burg për vrasje.
“Nga përgjimet telefonike ka dalë se dy të dyshuarit po mblidhnin shuma gjigante parash për të zgjidhur çështjen në favor të Millarajt,” thanë prokurorët.
“Personi që premtonte zgjidhjen e çështjes në Gjykatën e Lartë ishte Agron Lumeshi, një i afërm i drejtuesit të gjyqit, Gani Dizdari,” shtuan ata.
Megjithëse Gjykata e Lartë në maj të vitit 2011 vendosi të linte në fuqi vendimin për Millarajn, prokurorët këmbëngulin se të dyshuarit janë informuar se ishin nën vëzhgim dhe se ata u njoftuan për vendimin e gjyqit një ditë përpara se të bëhej publik. “Nga përgjimet rezulton qartësisht se të dyshuarit ishin njoftuar për vendimin e gjykatës një ditë përpara se të jepej,” thuhet në deklaratë.
Përmes zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, gjykatësi Gani Dizdari tha për Balkan Insight se ai nuk ishte në dijeni të ndonjë komunikimi mes të dyshuarve dhe panelit gjykues.
“Gjykata e Lartë ka dhënë vendimin më 11 maj 2011 dhe vendimi është ai që është,” tha Dizdari.
Gjykata e Lartë ka qenë nën kritika të ashpra nga publiku dhe media, e akuzuar për arsyetime të dyshimta në mbylljen e disa gjyqeve të profilit të lartë për korrupsion, me të akuzuar ministra të qeverisë.
Prokurorët në Shqipëri janë penguar seriozisht në hetimin e gjykatësve, për shkak se ata kanë imunitet sipas ligjit.
Kryeprokurorja Ina Rama ka bërë thirrje disa herë për një amendim kushtetues që do të kufizonte imunitetin e gjykatësve, në mënyrë që të forcohej lufta kundër korrupsionit në gjyqësor.
“Nëse Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm kërkon autorizim për të hetuar në gjykatës për akuzën e korrupsionit, hetimi është bërë tashmë publik dhe është vështirë që të ecësh përpara,” tha ajo gjatë një konference për reformën në gjyqësor në tetor të vitit 2009. “Është e pamundur të hetosh një gjykatës për korrupsion nëse ai e di se po hetohet,” tha Rama.
Megjithatë gjykatësit e Gjykatës së Lartë kanë qenë shumë të prirur për të mbajtur imunitetin nga hetimi dhe kanë dalë publikisht kundër një propozimi të tillë.
Në një deklaratë të paraqitur në një konferencë më 18 nëntor 2011, në emër të Gjykatës së Lartë, gjykatësi Ardian Dvorani tha se Shqipëria “nuk ka kushtet e duhura demokratike për të hequr plotësisht imunitetin e gjykatësve”.










