Rrjeti CNN ishte i pari që sqaroi disa gjëra që kishin mbetur pezull pas ngjarjes së rëndë në Afganistan ku u vra një ushtar shqiptar dhe u plagos rëndë një tjetër. CNN sqaroi se ata ishin qëlluar nga një polic afgan, që hapi zjarr ndaj tyre pas një sherri.
Tani është dhe korrespondenti i ‘Los Angelos Times’ që thotë se mes trupave tona dhe policëve afganë ka shpërthyer një sherr përpara se ndaj tyre të qëllohet me armë. Trupat tona ishin duke shpërndarë materiale shkollore në një distrikt të varfër të provincës së Kandaharit.
Sipas LA Times, motivet e sherrit janë ende të paqarta. Por personi që qëlloi ndaj shqiptarëve është në qeli dhe pritet të merret në pyetje bashkë me pesë policë të tjerë afganë.
Fillimisht u raportua se persona me uniforma të policisë afgane kishin sulmuar pabesisht trupat tona në Afganistan. Më pas u fol se ata mund të ishin talibanë të maskuar. Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë foli për 11 të ndaluar dhe një sulm me disa pushkë dhe automatikë në drejtim të ushtarëve shqiptarë. Kurse CNN e tani në vazhdim mediat e huaja flasin për një polic që ka sulmuar me armë shqiptarët pas një sherri.










